Secondary Adv

Bllokohet përkohësisht qarkullimi në aksin Tiranë–Durrës, ARRSH njofton devijimet për 1–3 shtator

Qarkullimi do të bllokohet në të dyja drejtimet nga ora 23:00 deri në 05:00 për punimet në mbikalimin e Kasharit.

Qarkullimi në të dyja drejtimet e aksit kryesor Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë do të bllokohet përkohësisht gjatë netëve të 1, 2 dhe 3 shtatorit, në kuadër të punimeve për

zgjerimin e Superstradës Tiranë–Durrës, Faza III.


Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se kufizimi do të aplikohet çdo natë, në intervalin 23:00–05:00, për shkak të punimeve për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit. Për të garantuar sigurinë gjatë ndërhyrjes, qarkullimi i mjeteve do të menaxhohet përmes rrugëve alternative dhe devijimeve të përcaktuara.


Devijimet në drejtimin Tiranë–Durrës


Në drejtimin Tiranë–Durrës, automjetet do të devijohen përmes rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet përmes rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.


Për mjetet e rënda, veçanërisht kamionët, devijimi do të nisë që në nyjën “Casa Italia”, me vijimin e lëvizjes nëpërmjet rrugës dytësore.


Si do të devijohet qarkullimi Durrës–Tiranë


Në drejtimin Durrës–Tiranë, automjetet do të devijohen përmes mbikalimit Kashar–Thumanë. Më pas, do të vijojnë në rrugën dytësore në anën e majtë, deri pas mbikalimit të Kasharit, ku do të rikthehen në autostradë.


Për automjetet me destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën, orientimi do të bëhet që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më pas drejt destinacionit përkatës.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat